Opinionisti Rrahman Paçarizi sonte në emisionin “Rubikon” ka folur për mundësitë për formimin e koalicioneve pas zgjedhjeve, duke vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të mbetet opsioni i preferuar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij, procesi i krijimit të institucioneve po zvarritet për shkak të papërgjegjshmërisë së partive politike ndaj votës së qytetarëve.
“Zgjedhjet janë shndërruar në një farë sporti nacional te ne. Prandaj partitë politike do të vazhdojnë të jenë të papërgjegjshme ndaj votës së qytetarëve të Kosovës, sepse qytetarët e Kosovës, unë nuk besoj që kanë votuar, edhe pse kjo duket kontradiktore që tash po e them, por nuk besoj që qytetarët e Kosovës kanë votuar që udhëheqësit politikë, të cilët i kanë votuar nëpër lista, domethënë secili udhëheqës ka dalë më i votuari, që ata të zhagisin proceset, që ata të bëjnë batuta, që ata të sillen me këtë nivel të papërgjegjshmërisë”, tha ai.
Ai tha se synimi i Vetëvendosjes vazhdon të jetë arritja e një marrëveshjeje me LDK-në, megjithëse ekziston edhe një alternativë tjetër për zgjidhjen e ngërçit politik.
“Unë mendoj që synimi i Lëvizjes Vetëvendosje vazhdon të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës. Mirëpo, në anën tjetër e kemi një aktor i cili do të mund ta zgjidhte problemin, që është Partia Demokratike e Kosovës. Ka katër deputetë më shumë se LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje bashkë me PDK-në dhe pakicat joserbe, bashkë me një serb aty, natyrisht me Nenad Rashiqin, i cili nuk e di pse është serb më i mirë se ata të tjerët, janë të njëjtë. PDK-ja do të mund ta bënte zgjidhjen, por PDK-ja nuk është e preferuara e Vetëvendosjes”, deklaroi ai./Klankosova.tv


