Eksperti i rrjeteve sociale, Valon Kerolli, ka bërë thirrje për ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga personat nën moshën 16-vjeçare, duke e cilësuar këtë si një masë urgjente për mbrojtjen e të rinjve.
Në emisionin Rubikon, Kerolli tha se çdo vonesë në ndërmarrjen e një mase të tillë do të ketë pasoja edhe më të mëdha për gjeneratat e reja.
Në kushtet që jemi besoj që është urgjente që të ndalohet përdorimi i rrjeteve sociale për personat nën moshën 16-vjeçare. Besoj çdo ditë që vonohet veç më keq do të jetë për të rinjtë tanë”, tha Kerolli.
Sipas Kerollit, hulumtimet mbi mënyrën se si përdoren rrjetet sociale në Kosovë tregojnë një situatë shqetësuese.
Neve që na bie të hulumtojmë se si po përdoren rrjetet sociale është e tmerrshme. Nuk e besoj që ka ndonjë shtet ku përdorimi i rrjeteve sociale është më keq sesa tek ne. Të rinjtë nuk janë të edukuar për përmbajtjet të cilat i konsumojnë. Nëse i sheh videot që ata shikojnë, kategorinë e videove janë të tmerrshme”, deklaroi ai.
Kerolli veçoi veçanërisht platformën TikTok, duke theksuar se ndalimi i përdorimit të saj për personat nën 16 vjeç është, sipas tij, i domosdoshëm.
Besoj që është e domosdoshme ndalimi i përdorimit deri në moshën 16-vjeçare, sidomos i TikTok-ut”, tha Kerolli. /Klankosova.tv


