Gjatë kontrolleve në pikën e kalimit kufitar në Bërnjak, zyrtarë të Doganës së Kosovës kanë zbuluar rreth 13 mijë euro mjete monetare të padeklaruara, në kundërshtim me detyrimin ligjor për deklarimin e mjeteve monetare mbi pragun prej 10,000 euro.
Gjatë hyrjes në Kosovë, një shtetas i huaj është intervistuar nga zyrtari doganor lidhur me posedimin e mjeteve monetare apo mallrave që kishte për të deklaruar, dhe, sipas njoftimit zyrtar, i njëjti ka deklaruar se nuk kishte mjete monetare apo mallra për të deklaruar, transmeton Klankosova.tv.
Për rastin janë ndërmarrë procedurat administrative të parapara me legjislacionin në fuqi, ndërsa mjetet monetare janë ndaluar dhe konfiskuar përkohësisht, deri në përfundimin e procedurave për verifikimin dhe dokumentimin e prejardhjes së tyre.


