Autoritetet spanjolle kanë sekuestruar më shumë se 2 mijë kilogramë kokainë në një velierë në det të hapur, ndërsa kanë arrestuar katër anëtarët e ekuipazhit, mes tyre dyshohet se edhe një shtetas shqiptar.
Operacioni është zhvilluar nga Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore spanjolle, i cili ka lokalizuar velierën teksa lundronte në ujërat e Atlantikut.
Sipas mediave spanjolle, hetimi dyshohet se ka nisur në Katalonjë dhe ka mundësuar lokalizimin e anijes. Veliera është kapur në det të hapur dhe më pas është tërhequr drejt portit të Vigos nga anija “Petrel I” e Shërbimit të Agjencisë Tatimore.
Të arrestuarit janë të kombësive të ndryshme. Përveç shtetasit shqiptar, dy prej tyre dyshohet se janë me origjinë nga Amerika e Jugut.
Detajet e tjera të operacionit nuk janë bërë ende publike, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Sipas autoriteteve spanjolle, organizatat kriminale kanë përdorur në mënyrë të përsëritur veliera për transportimin e kokainës nga Amerika drejt Evropës. Kjo është veliera e dytë e kapur nga “Petrel” gjatë këtij viti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


