Kancelari gjerman Friedrich Merz, i përfshirë tashmë në një përplasje me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me luftën në Iran, ka deklaruar se nuk do t’u këshillonte fëmijëve të tij të studionin apo të punonin në SHBA në klimën aktuale.
Duke folur në një konferencë të të rinjve katolikë në Würzburg, Merz tha se nuk e sheh më SHBA-në si “tokën e mundësive”, raportoi Guardian.
“Jam një admirues i madh i Amerikës. Për momentin admirimi im nuk po rritet”, ka theksuar ai gjatë një diskutimi publik, duke përmendur “klimën sociale” që po ndryshon me shpejtësi në një vend thellësisht të polarizuar.
“Sot nuk do t’u këshilloja fëmijëve të mi të shkonin në SHBA, të arsimoheshin atje apo të punonin atje, thjesht sepse është zhvilluar papritur një klimë e caktuar sociale”.
“Sot, edhe njerëzit më të arsimuar në Amerikë po e kanë shumë të vështirë të gjejnë punë”, ka shtuar Merz, baba i tre fëmijëve.
Komentet e tij për SHBA-në kanë shkaktuar menjëherë reagime të ashpra nga kampi i Trumpit. Richard Grenell, këshilltar republikan për politikën e jashtme dhe ish-ambasador në Gjermani gjatë mandatit të parë të Trumpit, shkroi në X se kur Merz u takua me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë së fundmi në mars, ai ishte “krejtësisht i butë dhe komplimentues”, duke shtuar se komentet e së premtes binin ndesh me atë qasje pajtuese.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


