Sunday, May 17, 2026
spot_img
HomeLajme“Jemi me ju”, Kosova dhe Shqipëria mbështesin protestën studentore në Shkup

“Jemi me ju”, Kosova dhe Shqipëria mbështesin protestën studentore në Shkup

Një valë e re protestash po ngrihet në Shkup, ku studentët shqiptarë paralajmërojnë një reagim masiv më 18 maj, pas refuzimit të vazhdueshëm për lejimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, çështje që ata e cilësojnë si shkelje të të drejtave gjuhësore dhe diskriminim institucional.

Protesta pritet të nisë në orën 16:30, para Urës së Gurit, dhe vjen pas marshimit të 6 prillit, kur qindra studentë nga Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti i Tetovës dolën në rrugë duke kërkuar zbatimin e Ligjit për Gjuhët dhe të drejtën për provime në gjuhën shqipe.

Studentët e konsiderojnë refuzimin e institucioneve si diskriminim institucional, duke argumentuar se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut dhe duhet të trajtohet si e tillë edhe në procedurat akademike dhe juridike.

Gjatë protestës së parë, ata marshuan drejt Ministrisë së Drejtësisë me pankarta si “Respekto ligjin për gjuhët”, “STOP diskriminimit institucional”, “Provimi në shqip, e drejtë e garantuar” dhe “Kur ligji hesht, ne flasim”.

Mbështetje për protestën kanë shprehur figura politike dhe organizata studentore nga Kosova dhe Shqipëria.

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka reaguar ashpër ndaj situatës, duke deklaruar se “të studiosh shqip dhe të japësh provimin në maqedonisht fyen inteligjencën më naive”.

Ai ka kritikuar edhe deklaratat e kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski për konsultimin me Komisionin e Venecias lidhur me përdorimin e shqipes.

“Askush në Maqedoninë e Veriut nuk mund ta kthejë të ardhmen evropiane të shqiptarëve në të kaluarën e errët të Jugosllavisë”, ka shkruar Majko.

Mbështetje publike ka dhënë edhe kreu i PDK-së dhe njëherësh kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, i cili tha se zëri i studentëve shqiptarë është zëri i një brezi që kërkon respekt, barazi dhe dinjitet për identitetin kombëtar.

“Zëri i studentëve shqiptarë në Shkup nesër është zëri i një brezi që kërkon respekt, barazi dhe dinjitet për identitetin e vet kombëtar. Jam gjithmonë pranë çdo të riu shqiptar që ngrihet për të mbrojtur gjuhën, identitetin dhe të drejtat e tij. Jemi me ju!”, ka shkruar Hamza.

Kurse, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se “gjuha shqipe nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese dhe themelore”.

“Heshtja përballë diskriminimit është bashkëfajësi”, ka thënë Rama, duke shtuar se “aty ku mohohet gjuha, mohohet identiteti”.

Edhe Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestë, duke u bërë thirrje studentëve të bashkohen “për një të drejtë që duhet të garantohet”.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbrojë qëndrimin se maqedonishtja mbetet gjuha kryesore në procedurat juridike, pavarësisht kërkesave të studentëve shqiptarë.

Megjithatë, kryeministri Hristijan Mickoski kishte deklaruar më herët se nëse ekziston kërkesë për dhënien e provimit në shqip, kjo duhet të lejohet.

“Ligji për gjuhët është i qartë në këtë rast”, kishte thënë ai.

Në këtë mes, Avokati i Popullit i Maqedonisë së Veriut ka hapur një rast për të shqyrtuar zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe mënyrën se si është organizuar provimi i jurisprudencës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT