Kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar një buxhet prej 1.3 miliardë shekelësh (rreth 370 milionë euro) për ndërtimin e 34 vendbanimeve të reja hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Lajmin e bëri të ditur ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, i cili e cilësoi vendimin si historik dhe një hap për forcimin e kontrollit të Izraelit mbi këtë territor, raporton Reuters, transmeton Sinjali.
Kombet e Bashkuara, palestinezët dhe shumica e vendeve të botës i konsiderojnë këto vendbanime të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare, ndërsa Izraeli e kundërshton këtë qëndrim.
Smotrich, i cili kundërshton krijimin e një shteti palestinez, tha se me këto projekte numri i vendbanimeve të reja të miratuara gjatë mandatit të tij do të arrijë në 103.
Qeveria izraelite ka planifikuar gjithashtu edhe 1.075 miliardë shekelë (rreth 307 milionë euro) për ndërtimin e rrugëve që do të lidhin vendbanimet e reja.
Në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor jetojnë rreth 700 mijë kolonë izraelitë mes një popullsie prej rreth 2.7 milionë palestinezësh. Rritja e vendbanimeve është konsideruar prej kohësh një nga pengesat kryesore për një marrëveshje paqeje dhe krijimin e një shteti palestinez.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


