Drejtori i Institutit OCTOPUS, Arben Fetoshi, ka komentuar në “Edicionin Special” në Klan Kosova deklaratën e ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte Slobodan Millosheviqi, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.
Fetoshi vlerësoi se deklarata nuk është thjesht një dëshirë personale, por dëshmi e vazhdimësisë së politikës shtetërore të Serbisë ndaj Kosovës.
“Nuk do ta quaja dëshirë, është konfirmim i vazhdimësisë së politikës hegjemoniste të Serbisë kundrejt Kosovës. Është pjesë e komunikimit strategjik të Serbisë, që konsiston në rehabilitimin e politikës së Sllobodan Millosheviqit dhe në tendencat e Serbisë për revizionimin e historisë mbi luftërat e ish-Jugosllavisë, me qëllim të shmangies së përgjegjësisë së Serbisë për krimet dhe gjenocidin e kryer”, deklaroi ai.
Sipas tij, Serbia po zhvillon një luftë të koordinuar narrativesh, e cila po bëhet gjithnjë e më agresive.
“Kemi të bëjmë me një luftë narrative, e cila aktualisht po merr përmasa shqetësuese, të një intensiteti shumë agresiv, shumë brutal dhe që është e koordinuar në kontekstin e projektit hegjemonist të Serbisë, të quajtur “Bota serbe”, u shpreh Fetoshi.


