Një operacion i madh antidrogë në Itali ka çuar në sekuestrimin e më shumë se 770 kilogramëve kokainë në portin e Vado Ligure.
Sipas autoriteteve italiane, droga u zbulua gjatë kontrollit të një kontenieri frigoriferik që kishte mbërritur nga Ekuadori, ku lënda narkotike ishte fshehur mes paletave me banane.
Në total, policia gjeti rreth 650 pako me kokainë, e cila sipas analizave fillestare rezultoi me pastërti shumë të lartë. Në disa prej pakove ishte vendosur edhe simboli i një flamuri serb, ndërsa autoritetet po hetojnë origjinën dhe rrjetin e përfshirë në trafik.
Operacioni u realizua nga efektivët e Grupit të Savonës në bashkëpunim me autoritetet doganore, pas një pune të gjatë monitorimi dhe analizimi të linjave tregtare mes Amerikës së Jugut dhe Evropës.
Autoritetet italiane vlerësojnë se nëse kjo sasi droge do të arrinte në tregun ilegal, organizatat kriminale mund të përfitonin rreth 250 milionë euro.
Sekuestrimi është cilësuar si një nga goditjet më të mëdha kundër trafikut ndërkombëtar të drogës në portin e Vado Ligure gjatë viteve të fundit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


