Friday, September 25, 2026
spot_img
HomeLajmeIsh-futbollisti zviceran: Duhet të vazhdojë të jetë kapiten i Zvicrës

Ish-futbollisti zviceran: Duhet të vazhdojë të jetë kapiten i Zvicrës

Ish-futbollisti i Kombëtares së Zvicrës, Benjamin Huggel, ka dalë në mbrojtje të Granit Xhakës pas deklaratës së kapitenit se kishte përdorur një certifikatë të falsifikuar vaksinimi kundër COVID-19.

Në një intervistë për gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, Huggel ka thënë se Xhaka duhet të vazhdojë të jetë kapiten i Zvicrës nëse çështja nuk sjell pasoja të tjera juridike apo sportive.

“Nëse nuk ka pasoja të tjera juridiko-sportive dhe çështja trajtohet ligjërisht si e mbyllur në planin penal, unë them krejt qartë: Po”, ka deklaruar Huggel, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Xhaka duhet ta mbajë shiritin e kapitenit.

Sipas tij, vendimi për kapitenin duhet të merret nga trajneri dhe skuadra, e jo nga opinioni publik. Huggel ka theksuar se çështja e certifikatës së vaksinimit nuk duhet të ndikojë në mënyrën se si Xhaka vlerësohet si futbollist dhe lider në fushë.

“Për mua, si bashkëlojtar, një certifikatë e falsifikuar e Covidit nuk do të ishte në asnjë mënyrë arsye për të mos i besuar më si kapiten në fushë”, ka thënë ai.

Huggel ka vlerësuar gjithashtu kontributin e Xhakës për futbollin zviceran, duke e cilësuar atë si një lojtar që ka marrë vazhdimisht përgjegjësi dhe ka qenë i rëndësishëm për kombëtaren.

Ish-futbollisti zviceran ka përmendur edhe disa episode të diskutueshme nga e kaluara e Xhakës, përfshirë festimin me shqiponjën dykrenare së bashku me Xherdan Shaqirin në ndeshjen ndaj Serbisë në Kupën e Botës 2018.

Në fund, Huggel ka dhënë një vlerësim të lartë për Xhakën, duke e konsideruar atë si futbollistin më të suksesshëm që ka pasur Kombëtarja e Zvicrës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT