Autoritetet iraniane kanë njoftuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit për trafikun detar, duke pretenduar se vendimi vjen pas shkeljeve të marrëveshjes së armëpushimit nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Sipas një deklarate të publikuar nga Selia Qendrore Khatam al-Anbiya, komanda më e lartë e përbashkët ushtarake e Iranit, mbyllja e ngushticës përbën hapin e parë të reagimit ndaj asaj që Teherani e cilëson si mosrespektim të angazhimeve të armëpushimit.
Në deklaratë thuhet se Irani është i gatshëm të ndërmarrë masa të tjera nëse, sipas tij, vazhdojnë veprimet që i konsideron agresive.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit, ndaj çdo zhvillim që prek funksionimin e saj ndiqet me vëmendje nga tregjet ndërkombëtare dhe fuqitë globale.
Njoftimi vjen pak kohë pasi SHBA-ja dhe Irani arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund tensioneve dhe konfliktit mes palëve. Deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga Uashingtoni apo Tel Avivi lidhur me pretendimet e ngritura nga autoritetet iraniane.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


