Irani ka reaguar ashpër pas sulmit ndaj një anijeje tregtare iraniane në Detin Kaspik, duke paralajmëruar se incidenti nuk do të mbetet pa përgjigje.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se sulmi, për të cilin Teherani fajëson Ukrainën, ka shkaktuar humbjen e jetës së një marinari dhe plagosjen e një tjetri, duke e cilësuar ngjarjen si një akt që kërkon përgjegjësi.
Sipas autoriteteve iraniane, Araqchi e ngriti këtë çështje gjatë bisedave telefonike me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, si dhe me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov.
Nga ana e tij, Lavrov shprehu ngushëllime për vdekjen e marinarit dhe konfirmoi mbështetjen për ekuipazhin e anijes, ndërsa bëri të ditur se autoritetet në rajonin rus të Astrakhanit kanë ofruar ndihmë pas incidentit.
Sipas deklaratës ruse, Araqchi ka theksuar nevojën për t’u dhënë fund, siç i quajti ai, “veprimeve provokuese” të Kievit, ndërsa njëkohësisht ka informuar homologun rus për përpjekjet diplomatike të Iranit për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga autoritetet ukrainase lidhur me akuzat e ngritura nga Teherani. Ndërkohë, zhvillimi pritet të rrisë tensionet në rajon, teksa vijojnë përplasjet diplomatike dhe ushtarake mes palëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


