Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ka paralajmëruar se do të hakmerret ndaj Shteteve të Bashkuara pas valës së sulmeve të kryera gjatë mbrëmjes së kaluar ndaj objektivave iraniane.
Në një deklaratë të transmetuar nga agjencia shtetërore IRNA, Garda Revolucionare pretendoi se mban nën kontroll Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se nuk do të lejojë ndërhyrjen e asnjë fuqie të huaj në këtë zonë strategjike.
“Ngushtica e Hormuzit është territori ynë dhe forcat e guximshme detare të IRGC-së e kontrollojnë atë me vendosmëri. Asnjë palë e huaj, e ardhur nga mijëra kilometra larg, nuk do të lejohet të ndërhyjë”, thuhet në deklaratë.
IRGC-ja paralajmëroi gjithashtu një përgjigje të afërt ndaj sulmeve amerikane.
“Me ndihmën e Zotit të Plotfuqishëm, agresori do të ndëshkohet sot”, thuhet më tej në reagim.
Më herët, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara njoftoi se kishte përfunduar një valë të fuqishme sulmesh kundër dhjetëra objektivave të Gardës Revolucionare në Iran. Në mesin e shënjestrave ishin qendrat komanduese, objektet e raketave dhe dronëve, sistemet e mbikëqyrjes bregdetare dhe kapacitetet e mbrojtjes detare.
Sipas CENTCOM-it, sulmet u kryen si përgjigje ndaj tentativave të Iranit për të goditur me raketa forcat amerikane të vendosura në Lindjen e Mesme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


