Paralajmërimi për stuhi të fuqishme nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka shkaktuar reagime te qytetarët, pasi kushtet atmosferike të paralajmëruara nuk u shfaqën në shumicën e zonave të vendit me intensitetin e pritur.
IHMK kishte ngritur nivelin e alarmit në portokalli për 22 korrik, duke paralajmëruar mundësi për stuhi lokale, reshje të dendura, breshër dhe erëra të forta, si dhe dëme të mundshme në infrastrukturë, energji elektrike, automjete dhe bujqësi.
Pas përfundimit të ditës, shumë qytetarë shprehën pakënaqësi në rrjete sociale, duke kërkuar sqarime për parashikimin që sipas tyre nuk u përputh me situatën reale në terren.
Deri tani, IHMK nuk ka dalë me një reagim zyrtar për të shpjeguar arsyet e ndryshimit mes paralajmërimit meteorologjik dhe zhvillimeve të regjistruara gjatë ditës.
Ekspertët meteorologjikë shpesh theksojnë se parashikimet për stuhi lokale kanë një shkallë pasigurie, pasi këto dukuri mund të ndryshojnë shpejt nga një zonë në tjetrën, por qytetarët kërkojnë që alarmet e tilla të shoqërohen me informacione sa më të sakta dhe të qarta.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


