Friday, September 25, 2026
spot_img
HomeLajmeIdentitetet e mijëra njerëzve në shitje, kosovari Ardit Kutleshi pranon fajësinë në...

Identitetet e mijëra njerëzve në shitje, kosovari Ardit Kutleshi pranon fajësinë në SHBA

Ardit Kutleshi, 28-vjeçar nga Kosova, ka pranuar fajësinë para drejtësisë amerikane për vjedhje të rënduar të identitetit dhe komplot për pastrim parash, lidhur me krijimin dhe drejtimin e platformës së paligjshme “Rydox”, ku shiteshin të dhëna personale të vjedhura dhe mjete për kryerjen e krimeve kibernetike.

Sipas njoftimit të Departamentit amerikan të Drejtësisë, të publikuar më 24 shtator, Kutleshi e ka pranuar fajësinë në Gjykatën Federale për Distriktin Perëndimor të Pensilvanisë. Shqiptimi i dënimit është caktuar për 9 shkurt 2027.

Për vjedhjen e rënduar të identitetit, ai përballet me një dënim minimal të detyrueshëm prej dy vjetësh burgim, ndërsa për komplotin për pastrim parash, dënimi maksimal i paraparë është 20 vjet burgim. Dënimin përfundimtar do ta caktojë gjykata.

Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara në njoftim, që nga të paktën viti 2016, përmes “Rydox” janë kryer mbi 7,600 transaksione, nga të cilat janë siguruar të paktën 232 mijë dollarë të ardhura. Në platformë tregtoheshin të dhëna personale të vjedhura, të dhëna për qasje në llogari, si dhe mjete e shërbime për mashtrime dhe krime kibernetike. Mes të dëmtuarve kishte persona në Shtetet e Bashkuara.

Ndihmësdrejtori i Divizionit Kibernetik të FBI-së, Brett Leatherman, deklaroi se platforma kishte nxjerrë në shitje identitetet dhe të dhënat e hyrjes në llogaritë e mijëra njerëzve. Ai theksoi se FBI-ja dhe partnerët ndërkombëtarë e kishin mbyllur platformën dhe se do të vazhdonin përpjekjet për ekstradimin e autorëve të krimeve kibernetike.

Në njoftim përmendet edhe vëllai i Arditit, Jetmir Kutleshi, i cili, sipas autoriteteve amerikane, kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar në dhjetor të vitit 2025, përpara se të deportohej në Kosovë.

Prokurori federal Troy Rivetti tha se vëllezërit e kishin drejtuar platformën për përfitime financiare. Ai vlerësoi se këto krime, përveç humbjeve në para, u shkaktojnë viktimave edhe pasoja psikologjike dhe humbje të besimit në shërbimet online.

Ardit Kutleshi ishte arrestuar në Kosovë në dhjetor të vitit 2024, ndërsa gjatë vitit 2025 ishte ekstraduar në SHBA. Në dhjetor 2024, autoritetet amerikane kishin sekuestruar edhe domenin e “Rydox”, duke ndërprerë përdorimin e tij për tregtimin e të dhënave të vjedhura dhe mjeteve për krime kibernetike.

Hetimet janë zhvilluar nga zyra e FBI-së në Pittsburgh, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Policisë së Kosovës, SPAK-un në Shqipëri dhe autoritetet e Malajzisë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT