Një gjykatë holandeze të premten dënoi një burrë 67-vjeçar me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid të kryera në Ruandë më 1994, ku gjykata tha se ai ishte i përfshirë në vrasjen e rreth 3.000 pjesëtarëve të komunitetit Tutsi, të cilët kishin kërkuar strehim në një stadium për t’u mbrojtur nga sulmet e komunitetit Hutu.
I pandehuri, i identifikuar vetëm si Eugene N., kishte ikur në Holandë më 1998 dhe më vonë e kishte fituar shtetësinë holandeze. Gjykatësit holandezë hapën hetime kundër tij më 2020, gjë që çoi në arrestimin e tij në Holandë më 2024, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Gjykata tha se burri kishte qenë në stadium në Byiza në prillin e vitit 1994 dhe pjesëtarëve të pranishëm të komunitetit Hutu u kishte dhënë “udhëzime për të mos lënë asnjë Tutsi të ikte nga stadiumi”.
“Pasdite, të shtënat u shkrepën në drejtim të Tutsi-ve, ata u gjuan me gurë dhe granata dore u gjuajtën në fushë. Një granatë u hodh nga i pandehuri. Të mbijetuarit e sulmit të pasdites u vranë me shkopinj e hanxharë” – tha gjykata.
Avokatët e të pandehurit kanë mohuar se ai kishte rol në masakra, madje thanë se ai ishte munduar ta shmangte gjenocidin.
Më shumë se 800 mijë Tutsi dhe disa Hutu u vranë në 100 ditët e gjenocidit të vitit 1994. Gjykata tha se i pandehuri gjithashtu kishte marrë pjesë në bastisjet ndaj dy komuniteteve në Mbazi, komunë ku ai ishte “person me autoritet”.
Gjatë këtyre sulmeve, shtëpitë ishin plaçkitur dhe djegur, e pas këtyre ngjarjeve, njerëzit kishin ikur dhe kishin shkuar në stadium, ku mendonin se do të ishin të sigurt. Megjithatë, ata në fund u vranë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


