Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka reaguar pasi Gjykata Supreme refuzoi ankesën e tij, me të cilën kishte kërkuar rinumërimin e votave preferenciale të kandidatëve të PDK-së nga zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Në një postim publik, Haxhiu tha se e respekton institucionin e Gjykatës Supreme, por se nuk pajtohet me vendimin dhe arsyetimin e saj, duke pretenduar se janë injoruar prova të reja që, sipas tij, dëshmojnë parregullsi në procesin e numërimit.
Ai tha se ankesa e tij ishte mbështetur në Raportin Zyrtar të Sekretariatit të KQZ-së për rinumërimin e 185 vendvotimeve, për të cilin pretendon se ka evidentuar gabime në 38 komuna dhe një ndryshim prej 10.71 për qind të votave të PDK-së në 5,201 vota të rinumëruara.
Sipas Haxhiut, gabimet nuk kanë qenë të izoluara, por të përhapura në të gjitha komunat ku është bërë rinumërimi, me përqindje që, sipas tij, variojnë nga 6.05 deri në 24.89 për qind.
Ai po ashtu akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se nuk i ka vënë në dispozicion të gjitha të dhënat për ndryshimet e votave për secilin kandidat, duke thënë se kjo ka cenuar barazinë procedurale.
Haxhiu theksoi se diferenca mes tij dhe kandidatit të fundit që fitoi mandat nga PDK-ja është 102 vota, duke argumentuar se në një listë të hapur edhe ndryshimet e vogla në votat preferenciale mund të ndikojnë në renditjen përfundimtare të kandidatëve.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës Supreme krijon një precedent të rrezikshëm dhe cenon besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.
“Unë do të vazhdoj të luftoj për të drejtën time kushtetuese, por mbi të gjitha, për të drejtën e çdo qytetari që vota e tij të numërohet saktë dhe me ndershmëri”, ka shkruar Haxhiu.
Në fund të reagimit, ai falënderoi mbi 20 mijë votuesit që e mbështetën në zgjedhjet e 7 qershorit dhe kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për, siç u shpreh ai, “lojëra politike” dhe “manipulim me vullnetin e qytetarëve”.
“Besoj në vetëdijen qytetare për ndryshim, që në vazhdën e lojërave politike të Albin Kurtit, t’i thonë stop manipulimit me vullnetin e qytetarëve”, u shpreh në fund ish-deputeti Bekim Haxhiu. /Klankosova.tv


