Një 46-vjeçar francez është arrestuar në portin e Barit në Itali, pasi në furgonin e tij u gjetën tre raketa Akeron, të cilat autoritetet italiane i kanë klasifikuar si armë lufte.
Regis Claude Albert Normand po udhëtonte me tragetin “Superfast II” nga Patra e Greqisë, kur u ndalua për një kontroll rutinë. Në furgonin me targa franceze u gjetën pesë kontejnerë për transportimin e sistemeve antitank.
Njëri prej tyre ishte bosh, ndërsa në një tjetër u gjet një raketë për stërvitje. Tre kontejnerët e tjerë përmbanin nga një raketë Akeron.
Ekspertët e ushtrisë italiane vlerësuan se raketat janë municion me eksploziv të fuqishëm. Hetuesit vunë re gjithashtu se tubat kishin shirita blu, që sipas standardeve të NATO-s tregojnë pajisje stërvitore. Megjithatë, ushtria italiane tha se shiritat dukeshin si ngjitëse të vendosura më vonë dhe mund të hiqeshin lehtësisht.
Normand deklaroi se po transportonte pajisjet në Greqi në emër të kompanisë së mbrojtjes MBDA, për t’ia dorëzuar një kompanie për riparim.
Megjithatë, gjykata ka vlerësuar se dokumentacioni i paraqitur kishte mospërputhje dhe se nuk ishin paraqitur lejet e kërkuara nga ligji italian për transportin e pajisjeve ushtarake.
Tani hetimi do të përcaktojë nga kanë ardhur raketat, ku ishin destinuar dhe nëse transporti i tyre ishte i autorizuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


