Sunday, August 16, 2026
spot_img
HomeLajmeHaxhiu insiston t’i lë fajtorë të tjerët, sërish përmend zgjedhjet

Haxhiu insiston t’i lë fajtorë të tjerët, sërish përmend zgjedhjet

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje nëse nuk arrihet marrëveshje politike për çështjen e Presidentit.

Në një postim në Facebook, Haxhiu pati kritika për partitë politike për mungesë  dialogu, duke thënë se tri procese të njëpasnjëshme zgjedhore me rezultate të përafërta, sipas saj, dëshmojnë se pa konsensus politik nuk ka zgjidhje për të dalë nga situata aktuale.

“ Tre procese të njëpasnjëshme zgjedhore me rezultat të përafërt janë dëshmi e bollshme që pa dialogim politik, veçanërisht për çështjen e Presidentit, nuk ka zgjidhje për ecje përpara. Nëse në dimër e pranverë të këtij viti kërkesa e ankesa ishte që të flitej paraprakisht para çdo konstituimi të institucioneve, pavarësisht rezultatit, tash është momenti, mundësia dhe domosdoshmëria për ta zbatuar këtë gjë. Të nisim jo nga ajo çfarë mundemi me lehtësi ta bëjmë, por nga ajo çfarë realisht është nyja që po na çon vazhdimisht në zgjedhje: çështja e Presidentit”, shkroi Haxhiu.

Ajo tha se në ftesën për takim i ka ftuar krerët e të gjitha subjekteve politike parlamentare për të diskutuar për një zgjidhje, ndërsa shprehu keqardhje që PDK dhe Aleanca e kanë refuzuar ftesën.

“Nisur nga këto fakte dhe nga përvoja e këtyre dy viteve, me vullnetin për të gjetur një konsensus politik, kam ftuar krerët e të gjitha subjekteve politike parlamentare. Më lejoni të shpreh keqardhjen time të plotë që pavarësisht ftesës sime të sinqertë, subjektet politike si PDK dhe AAK refuzuan të njëjtën. Këtë refuzim e konsideroj veprim të gabuar, të pamatur dhe mbi të gjitha mungesë të vullnetit për të tejkaluar pozicionimet barrikaduese. Të tilla pozicione nuk e ndihmojnë askënd, aq më pak Republikën tone”, thuhet tutje në postimin e saj.

Njëherësh, Haxhiu theksoi se zgjedhjet duhet të jenë opsioni i fundit dhe ka kërkuar reflektim nga partitë deri të martën, me shpresën që takimi të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje politike.

“Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit nëse jo fare opsion. Mbetem me shpresën që deri të martën të kemi reflektim e takimi të jetë sa më i dobishëm drejt gjetjes së një zgjidhje”, shkroi mes tjerash Haxhiu në Facebook./Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT