Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tij lidhur me bisedimet për çështjen e presidentit.
Ai ka thënë se ofertat e tij për partitë opozitare janë mashtrime dhe kalkulime elektorale.
Haradinaj ka thënë se AAK-ja nuk e konsideron të mbyllur çështjen e presidentit, por ka shtuar se atë e ka mbyllur vet Kurti me qasjen që ka aplikuar, pasi sipas tij, ai ka pasur opsione për të gjetur zgjidhje.
“Këto janë vec kalkulime, kamoflazh dhe mashtrim i pastër. Nuk ka ofertë, këto nuk janë oferta, këto janë me harxhu fjalë derisa të shpallen zgjedhjet”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se sipas kalenderit dhe afateve kushtetuese 7 qershori mund të jetë data e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.
Haradinaj ka thënë se kandidat i AAK-së për kryeministër do të jetë Ardian Gjini, kryetar aktual i komunës së Gjakovës.
“Do të jem pjesë e listës dhe AAK-ja do të ketë një ofertë serioze. Do të garojmë vet në zgjedhje.”, ka shtuar ai. /Klankosova.tv


