Friday, August 28, 2026
spot_img
HomeLajmeHajnat hyjnë nga dritarja në një shtëpi në Vushtrri – vjedhin dy...

Hajnat hyjnë nga dritarja në një shtëpi në Vushtrri – vjedhin dy pushkë dhe 82 fishekë, Policia nis hetimet

Një vjedhje e rëndë është raportuar në Vushtrri, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë hyrë në një shtëpi dhe kanë vjedhur dy armë gjuetie dhe dhjetëra fishekë, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur të enjten, më 27 gusht, në rrugën “Murat Rashica”, ndërsa pronari i shtëpisë është B.R. 32 vjeçar.

Sipas informacioneve të rastit, vjedhja dyshohet se është kryer në intervalin kohor 14:00–22:45, derisa në shtëpi nuk ndodhej asnjë anëtar i familjes.

Të dyshuarit besohet se e kanë shfrytëzuar pikërisht mungesën e familjarëve dhe kanë depërtuar brenda përmes një dritareje që kishte mbetur e hapur.

Pasi kanë hyrë në shtëpi, cak i tyre janë bërë armët që ndodheshin në dhomën e pronarit.

Sipas burimeve të Sinjalit, janë vjedhur dy pushkë – një AKKAR ALTAY, kalibër 12GA, dhe një SILAH MONZA, kalibër .308 WIN, të cilat pronari ka deklaruar se i posedonte me lejet përkatëse.

Bashkë me armët, hajnat dyshohet se kanë marrë edhe 82 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Pronari e ka vlerësuar në rreth 2 mijë euro vetëm vlerën e dy pushkëve të vjedhura, ndërsa para Policisë ka deklaruar se nuk dyshon te ndonjë person konkret.

Pas raportimit, njësitë policore kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.

Në konsultim me Prokurorin është iniciuar rasti për “Vjedhje të rëndë”, ndërsa deri më tani nuk është identifikuar ndonjë i dyshuar.

Hetimet për identifikimin e autorëve dhe gjetjen e armëve të vjedhura po vazhdojnë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT