Dy persona të dyshuar për përfshirje në rastin e rëndë të korrikut në Komoran, ku tre persona mbetën të plagosur me thikë, janë arrestuar pas gati dy muajsh në arrati, raporton ekskluzivisht Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për vëllezërit Loris Muqaku, 19 vjeçar dhe Mehxhet Muqaku, 25 vjeçar, të cilët janë lokalizuar dhe arrestuar më 27 gusht.
Dyshimet ndaj tyre lidhen me ngjarjen e 6 korrikut, që kishte ndodhur rreth orës 19:00, te lokali i njohur si “Kafja e Vogël” në Komoran të Drenasit.
Policia fillimisht kishte marrë informacion për një rrahje në zhvillim e sipër, por kur njësitë kishin mbërritur në vendngjarje, ishte konstatuar se përleshja kishte eskaluar në përdorimin e thikës.
Në incident kishin mbetur të plagosur Leart Krasniqi (2007), Labinot Shala (2002) dhe Migjen Nuha (1992).
Sipas të dhënave të rastit, dy prej viktimave kishin pësuar plagë në kraharor dhe brinjë, ndërsa personi i tretë ishte lënduar në këmbë.
Të plagosurve fillimisht u ishte dhënë ndihma mjekësore në Komoran, e më pas ishin transferuar në QKUK në Prishtinë. Në atë kohë, gjendja e tyre ishte raportuar stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë, të dyshuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk ishin kapur nga Policia.
Pas konsultimit me Prokurorinë e Departamentit për Krime të Rënda, rasti ishte iniciuar si “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Lokalizohen pas gati dy muajsh
Zhvillimi i ri në këtë rast ka ardhur më 27 gusht.
Pas veprimeve hetimore, Policia ka arritur të lokalizojë Mehxhet dhe Loris Muqakun, të cilët janë arrestuar dhe shoqëruar në Polici për procedura të mëtejshme.
Gjatë procedurave janë njoftuar avokatët mbrojtës të autorizuar prej tyre, ndërsa të dy janë intervistuar lidhur me dyshimet që rëndojnë mbi ta.
Pas intervistimit, me aktvendim të Prokurorit kujdestar të Departamentit për Krime të Rënda, dy vëllezërit janë ndaluar për 48 orë dhe janë dërguar në Qendrën e Ndalimit.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


