Pas fjalimit të tij në OKB, presidenti amerikan Donald Trump është takuar me liderët e Grenlandës dhe Danimarkës për të nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme për sigurinë.
Trump e përshkroi marrëveshjen si një marrëveshje “që është përgatitur prej kohësh” dhe tha se ajo do të çojë në një “marrëdhënie fantastike afatgjatë” mes tre palëve nënshkruese.
Megjithëse Grenlanda është një territor autonom, ajo është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, e cila kryesisht merret me çështjet e politikës së jashtme.
Megjithatë, gjatë fjalimit të tij, Trump kishte thënë se SHBA-ja do të ndërtojë “dy baza ushtarake shumë të mëdha” në Grenlandë.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha se marrëveshja e re i adreson shqetësimet e SHBA-së për sigurinë, veçanërisht lidhur me mundësinë që kundërshtarët e huaj të krijojnë një prani në ishull, duke respektuar në të njëjtën kohë të drejtat e brendshme të Danimarkës dhe Grenlandës.
Edhe kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, është shprehur pozitivisht për marrëveshjen e sigurisë.
“Po nënshkruajmë një marrëveshje që e sjell marrëveshjen e mbrojtjes të vitit 1951 në vitin 2026. Ne jemi, kemi qenë dhe do të mbetemi një mik i palëkundur i Shteteve të Bashkuara dhe pjesë e Aleancës Perëndimore. Siguria juaj është siguria jonë, dhe siguria jonë është siguria juaj… Kjo është një marrëveshje që sjell përfitime për të treja palët”, tha Nielsen.
Trump nuk iu përgjigj pyetjeve të përsëritura të gazetarëve lidhur me faktin se marrëveshja e re nuk shkon deri te propozimi i tij i mëparshëm që SHBA-ja të merrte pronësinë e Grenlandës, ide e cila ishte refuzuar kategorikisht si nga Danimarka, ashtu edhe nga Grenlanda.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


