Saturday, June 27, 2026
spot_img
HomeLajmeGazi amerikan, Oda Amerikane: Zhvillimi i kapaciteteve të reja energjetike vendore duhet...

Gazi amerikan, Oda Amerikane: Zhvillimi i kapaciteteve të reja energjetike vendore duhet të jetë prioritet kombëtar

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me deklaratat e fundit të anëtarëve të kabinetit të Qeverisë në detyrë për orientimin e politikës energjetike të vendit, duke vlerësuar se qasja e prezantuar nuk adreson në mënyrë të mjaftueshme nevojën për rritjen e kapaciteteve vendore të prodhimit të energjisë elektrike.

Përmes një komunikate, Oda Amerikane thekson se zhvillimi i kapaciteteve të reja prodhuese duhet të jetë prioritet kombëtar, pasi do të zvogëlonte varësinë nga importi i energjisë elektrike dhe do të forconte sigurinë energjetike të Kosovës.

“Çështja thelbësore nuk është nëse Kosova mund të importojë energji elektrike nga vendet fqinje, por nëse duhet të vazhdojë të mbështetet në importin e energjisë si produkt i gatshëm apo të investojë në kapacitete të reja prodhuese brenda vendit, të cilat forcojnë sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe pavarësinë strategjike”, thuhet në reagim.

Oda Amerikane vlerëson se fokusimi vetëm te kostoja fillestare e infrastrukturës nuk pasqyron përfitimet afatgjata që sjell ndërtimi i kapaciteteve të reja vendore.

Sipas saj, çdo megavat i prodhuar në Kosovë rrit sigurinë e furnizimit, ul varësinë nga tregjet rajonale dhe krijon stabilitet më të madh për ekonominë dhe qytetarët. Po ashtu, rikujton se kriza energjetike evropiane pas agresionit rus në Ukrainë dëshmoi se shtetet me kapacitete të mjaftueshme prodhuese ishin shumë më të mbrojtura nga goditjet e tregut.

Në këtë drejtim, Oda Amerikane konsideron se përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane paraqet zgjidhjen më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.

Sipas saj, ndërtimi i interkoneksionit të gazit përmes Maqedonisë së Veriut është identifikuar, në studimet e mbështetura nga Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë së SHBA-së në kuadër të programit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), si alternativa më e favorshme ekonomike për furnizimin e Kosovës me gaz natyror.

Oda thekson se kapacitetet gjeneruese me bazë LNG mund të ndërtohen brenda dy deri në tre vjet dhe kanë më shumë gjasa të financohen nga institucionet financiare ndërkombëtare sesa projektet e reja me bazë qymyri.

Gjithashtu, ajo nënvizon se LNG-ja nuk është alternativë ndaj burimeve të ripërtëritshme, por teknologji që mundëson integrimin e energjisë nga era dhe dielli, duke siguruar fleksibilitetin e nevojshëm për funksionimin e sistemit elektroenergjetik.

Për këtë arsye, Oda Ekonomike Amerikane propozon një qasje të dyfishtë: zhvillimin sa më të shpejtë të kapaciteteve gjeneruese me bazë LNG për të përmbushur nevojat afatshkurtra dhe afatmesme të sigurisë energjetike, ndërsa paralelisht të vazhdojë vlerësimi i opsioneve afatgjata për shfrytëzimin e burimeve vendore.

Në fund, Oda Amerikane rithekson se politikat energjetike duhet të maten jo vetëm me koston fillestare të investimit, por me aftësinë për të garantuar furnizim të sigurt, çmime të qëndrueshme dhe prodhim vendor të energjisë elektrike, duke shtuar se Kosova nuk duhet ta humbasë mundësinë për t’u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së amerikane.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT