Fisnik Asllani nuk do të jetë në dispozicion të Hoffenheimit për ndeshjen e parë të sezonit të ri në Bundesliga, ku skuadra e tij do të përballet me Kolnin.
Lajmin e ka konfirmuar të premten trajneri i Hoffenheimit, Christian Ilzer, gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes.
Sulmuesi kosovar ishte pranë transferimit te Leipzigu, por marrëveshja mes palëve dështoi në momentet e fundit për shkak të gjendjes së tij fizike.
Pas dështimit të transferimit te Leipzigu, në garë për Asllanin është përmendur sërish edhe Dortmundi, ndërsa e ardhmja e sulmuesit 24-vjeçar vazhdon të mbetet e paqartë.
“Fisit i duhet edhe pak kohë për të qenë plotësisht i gatshëm për skuadrën”, ka deklaruar Ilzer.
Trajneri austriak ka bërë të ditur se Asllani do të rikthehet gradualisht në ngarkesat e plota të stërvitjeve.
“Ai gradualisht do të marrë pjesë më shumë në stërvitje”, theksoi Ilzer.
Asllani i kishte nisur me vonesë përgatitjet për sezonin e ri për shkak të një problemi të vogël në gju.
Në sezonin e kaluar, sulmuesi i Kosovës realizoi 11 gola dhe dhuroi 10 asistime për Hoffenheimin në Bundesliga dhe Kupën e Gjermanisë.
Ndeshja mes Kolnit dhe Hoffenheimit zhvillohet të shtunën nga ora 15:30. Në përbërjen e klubit gjerman janë edhe dy futbollistët e tjerë kosovarë, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


