Pakënaqësia e fermerëve kosovarë të qumështit ka arritur kulmin.
Pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët, ata kanë paralajmëruar protestë për të hënën para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar zgjidhje urgjente për situatën që, sipas tyre, po i çon fermat drejt falimentimit.
Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit njoftoi se vendimi për protestë u mor unanimisht në mbledhjen e mbajtur më 5 korrik.
“Protesta është e pashmangshme me situatën e krijuar për mosgrumbullimin e qumështit të freskët nga fermat tona, duke hasur në vesh të shurdhër tek akterët kompetentë”, thuhet në njoftimin e shoqatës transmeton Klankosova.tv
Sipas fermerëve, protesta do të mbahet më 6 korrik, duke filluar nga ora 13:00, para Ministrisë së Bujqësisë.
Ata kanë paraqitur tri kërkesa kryesore:
Rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit;
Publikimin urgjent të rezultateve, në mënyrë që të hiqen dyshimet mbi produktet vendore;
Kthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, për të shmangur falimentimin e fermave.
Fermerët kanë bërë të ditur se në protestë do të marrin pjesë me mjete bujqësore dhe cisterna të qumështit.
Njëkohësisht, ata kanë ftuar qytetarët të marrin me vete bidonë, duke bërë të ditur se gjatë protestës do të shpërndahet qumësht falas.


