Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, së bashku me Kolegjin e Komisionerëve të BE-së, ka qëndruar për vizitë në Irlandë, ku janë diskutuar prioritetet e presidencës irlandeze të Bashkimit Evropian për gjashtë muajt e ardhshëm.
Gjatë vizitës, von der Leyen është ndalur veçanërisht te procesi i zgjerimit të BE-së, duke e cilësuar atë si një nga proceset më të rëndësishme të Unionit, me fokus të veçantë në Ballkanin Perëndimor dhe vendet kandidate.
Ajo ka theksuar progresin e Ukrainës dhe Moldavisë në hapjen e kapitujve të parë të negociatave, si dhe avancimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e integrimit.
Ky është një hap i madh përpara. Shqipëria dhe Mali i Zi po vazhdojnë të përparojnë. E mirëpres shumë mbështetjen tuaj të fortë për këtë proces, i cili duhet të jetë i bazuar në meritë”, ka deklaruar von der Leyen, duke shtuar se synimi është përmbyllja e negociatave me Malin e Zi deri në fund të vitit.
Ajo ka vlerësuar gjithashtu rolin e Irlandës në të kaluarën si një shembull i suksesit të zgjerimit të BE-së, duke kujtuar rritjen ekonomike të vendit që nga anëtarësimi në vitin 1973 dhe zgjerimin e vitit 2004, kur Bashkimit Evropian iu bashkuan tetë shtete të reja.
Irlanda aktualisht mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian nga 1 korriku deri më 31 dhjetor, me fokus në politikat e zgjerimit dhe zhvillimit të Unionit.


