Etnik Brruti ka marrë vlerësime të larta pas paraqitjes së shkëlqyer me Hajdukun e Splitit, duke u përfshirë në formacionin e javës së katërt të elitës së futbollit kroat.
Mesfushori 22-vjeçar realizoi golin e tij të parë me fanellën e Hajdukut në fitoren bindëse 4-0 ndaj Osijekut.
Ndeshja ishte edhe e para për Brrutin si titullar te skuadra kroate, ndërsa ai e shfrytëzoi maksimalisht mundësinë e dhënë.
Përveç golit, Brruti zhvilloi një paraqitje të mirë gjatë gjithë takimit dhe u vlerësua me notën 8.1 nga Sofascore. Kjo paraqitje i siguroi atij edhe një vend në formacionin e javës në kampionatin kroat.
Brruti iu bashkua Hajdukut gjatë kësaj vere, pas transferimit nga Malisheva, ku ishte një prej futbollistëve më të spikatur.
Ai më herët ishte pjesë e Përfaqësueses U21 të Kosovës, ndërsa tash përfaqëson Shqipërinë në nivel të grupmoshave.
Goli dhe paraqitja ndaj Osijekut janë një nisje e rëndësishme për Brrutin në aventurën e tij te Hajduku, ku synon të fitojë edhe më shumë hapësirë dhe të dëshmojë vlerat e tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


