Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot është realizuar ekstradimi nga Gjermania për në Kosovë i dy shtetasve kosovarë, të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar.
Sipas njoftimit, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar më 03.07.2026 ekstradimin e dy personave me inicialet F.H. dhe M.Gj.
Të dyshuarit ishin arrestuar nga autoritetet gjermane pasi kërkoheshin përmes INTERPOL-it, me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për përfshirje në vepra të ndryshme penale.
Njëri prej tyre dyshohet për veprën penale “Mashtrim”, ndërsa tjetri për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”. Sipas autoriteteve, të njëjtit i ishin shmangur drejtësisë.
Policia thekson se ekstradimi është realizuar falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre gjermane.
Pas ekstradimit, të dyshuarit janë dorëzuar tek njësitet përkatëse të Policisë në rajonet e Mitrovicës dhe Gjakovës, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


