Monday, September 21, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Thika, mbishkrime nacionaliste dhe pajisje të dyshimta në Jarinjë: Dy...

Ekskluzive | Thika, mbishkrime nacionaliste dhe pajisje të dyshimta në Jarinjë: Dy shtetas serbë lirohen nga ndalimi, hetimet vazhdojnë

Dy shtetas serbë, të cilët ishin ndaluar pasi gjatë kontrollit të automjetit të tyre në pikën kufitare në Jarinjë u gjetën thika dhe sende të tjera të dyshimta, janë liruar nga ndalimi me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Aleksandar Urosevic, 38-vjeçar, dhe Vuk Mircetic, 39-vjeçar, të cilët ishin ndaluar më 19 shtator gjatë hyrjes në Kosovë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, automjeti “Toyota Auris”, të cilin e drejtonte Urosevic, ishte përzgjedhur për kontroll të dytë në pikën kufitare në Jarinjë.

Gjatë kontrollit, te Urosevic janë gjetur tri thika, njëra prej tyre luftarake, një vulë serbe dhe një kartë identifikimi e një organizate ku ai rezultonte të ishte anëtar.

Ndërkaq, te pasagjeri Vuk Mircetic janë gjetur dy bluza me mbishkrime nacionaliste, dy thika, njëra luftarake, një logo me flamurin e Serbisë, dy pajisje multifunksionale dhe një kamerë GoPro.

Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, ndaj tyre ishte iniciuar rast për “Mbajtje në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armëve”, ndërsa të dy ishin ndaluar për 48 orë.

Ata janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës, ndërsa rasti është marrë në trajtim nga Hetimet Rajonale në Mitrovicë të Veriut.

Megjithatë, më 20 shtator, Prokurori i Shtetit ka vendosur që masa e ndalimit të ndërpritet, duke vlerësuar se kishin pushuar arsyet për mbajtjen e tyre të mëtejshme.

Të dy janë liruar, ndërsa rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.

v

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT