Të shtënat me armë në një aheng familjar në fshatin Rekë të Mitrovicës kanë alarmuar Policinë, e cila ka ndërhyrë menjëherë dhe ka nisur hetimet për rastin.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është A.M. (26 vjeç).
Sipas informacioneve, Policia ka pranuar një njoftim se gjatë një dasme po dëgjoheshin të shtëna me armë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, njësia e hetimeve dhe ekipi i forenzikës, të cilët gjatë këqyrjes kanë sekuestruar nëntë gëzhoja dhe një fishek si prova materiale.
Më pas, Adonis Musliu është paraqitur vullnetarisht në Polici dhe ka dorëzuar një pistoletë me gaz të kalibrit 9 mm, së bashku me një karikator të zbrazët.
Nga ekzaminimet fillestare është konstatuar se fisheku i gjetur në vendngjarje përputhet me armën e dorëzuar nga i dyshuari, ndërsa nëntë gëzhojat e tjera nuk përputhen me atë armë, çka ka ngritur dyshime për përdorimin e një arme tjetër gjatë ahengut.
Për këtë arsye, me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, Policia ka hapur edhe një rast tjetër për hetimin e gëzhojave që nuk përputhen me armën e dorëzuar.
Ndaj Adonis Musliut është iniciuar procedurë për veprat penale “Mbajtja në pronësi ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Përdorim i armës”.
Pas intervistimit në praninë e avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për identifikimin e personit apo personave që dyshohet se kanë përdorur armën tjetër janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


