Një intervenim i Policisë për muzikë me zë të lartë në një aheng familjar në Prizren ka eskaluar në një incident serioz, ku dy zyrtarë policorë dyshohet se janë sulmuar dhe kanë përfunduar në Emergjencë, ndërsa tre persona janë arrestuar.
Sinjali ka mësuar identitetin e tre personave të arrestuar në incidentin e ndodhur pas mesnatës së 30 gushtit, në rrugën “Besnik Belloda” në Prizren.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Ardit Qerretin, 29-vjeçar, Ardian Qerretin, 47-vjeçar dhe Atdhe Bytyqin, 43-vjeçar.
Gjithçka nisi rreth orës 00:30, kur Policia pranoi një informacion për muzikë me zë të lartë që vinte nga një shtëpi ku po mbahej një aheng familjar.
Patrulla policore doli në lokacion dhe kontaktoi pronarin e shtëpisë, të cilin e njoftoi se muzika duhej të ndalej dhe se do të vazhdohej me procedurat ligjore.
Por intervenimi që nisi për muzikën dyshohet se mori shpejt një kthesë tjetër.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, zyrtarët policorë kanë hasur në rezistencë nga personat e dyshuar, ndërsa situata më pas ka eskaluar deri në sulm ndaj policëve.
Për ta vënë situatën nën kontroll është kërkuar asistencë, me ç’rast në vendngjarje kanë mbërritur edhe disa patrulla të tjera policore.
Pas intervenimit, Qerreti, Qerreti dhe Bytyqi janë arrestuar dhe janë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren.
Nga incidenti kanë mbetur të lënduar dy zyrtarë policorë, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit. Sipas raportit mjekësor, lëndimet e tyre janë cilësuar si të lehta trupore.
Për rastin është njoftuar hetuesi kujdestar dhe, pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Me vendim të Prokurorit, Ardit Qerreti dhe Ardian Qerreti janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Atdhe Bytyqi është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti vazhdon të trajtohet nga organet kompetente.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


