Një person që ndodhej në kërkim policor nën dyshimet për përfshirje në një rast të kultivimit të kanabisit dhe armëmbajtjes pa leje është ndaluar pas rreth dy vitesh në pikën kufitare në Hani të Elezit, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për David Male, 26-vjeçar, emri i të cilit kishte dalë gjatë hetimeve për një rast të ndodhur më 28 gusht 2024 në Bjeshkët e Roshkodolit në Deçan.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, hetuesit gjatë vazhdimit të hetimeve kishin siguruar të dhëna të reja, mbi bazën e të cilave kishin ngritur dyshime për përfshirjen e 26-vjeçarit në këtë rast.
Ndaj tij ishte ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Pejë dhe më pas ishte vendosur në kërkim policor.
Zhvillimi i ri ka ndodhur më 30 gusht 2026.
Male është hasur dhe ndaluar nga Policia e Kosovës derisa po tentonte të dilte nga Kosova përmes pikës kufitare në Hani të Elezit.
Pas ndalimit, ai është shoqëruar në zyrat e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë, ku është intervistuar lidhur me dyshimet ndaj tij.
Rasti për të cilin po hetohet lidhet me veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Megjithatë, pas përfundimit të intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin e rastit, 26-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për rastin po vazhdojnë nga njësia kompetente e DHTN-së në Pejë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


