Hetimet për plagosjen e një 69-vjeçareje nga një plumb “qorr” në Lipjan kanë çuar Policinë drejt një feste në fshatin Hallaq i Vogël, ku janë sekuestruar dy armë dhe dhjetëra gëzhoja.
Rasti merr kështu një zhvillim të ri vetëm pak kohë pasi gruaja u godit në gjoks teksa po qëndronte në oborrin e shtëpisë së saj.
Sinjali mëson se pas njoftimit për plagosjen, njësitë policore kanë nisur patrullimin në fshatrat përreth, në përpjekje për të lokalizuar vendin nga mund të ishin shkrepur armët.
Gjatë kërkimeve, policët kanë hasur në një festë në Hallaq të Vogël.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, pronari i shtëpisë, Azem Ismaili, rreth 55-vjeçar, ka pranuar para zyrtarëve policorë se kishte shtënë me një armë me gaz.
Por kontrolli nuk ka përfunduar aty.
Me urdhër të Prokurorit është bastisur shtëpia, ku Policia ka gjetur edhe një armë tjetër të vogël, pa shenja identifikuese.
Në këtë pikë në rast është përfshirë edhe Qendrim Kastrati, rreth 25-vjeçar, i cili, sipas informacioneve të Sinjalit, ka pranuar se kishte shtënë me këtë armë.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar katër fishekë, 11 gëzhoja të armës me gaz dhe 10 gëzhoja të armës tjetër.
Të dy personat janë intervistuar, ndërsa rasti është iniciuar për “Mbajtje në pronësi të paautorizuar të armës” dhe “Përdorim të armës”. Pas përfundimit të procedurave, ata janë liruar në procedurë të rregullt.
Megjithatë, një çështje vendimtare mbetet ende e hapur.
Nga informacionet që ka siguruar Sinjali nuk rezulton ende e konfirmuar se predha që goditi 69-vjeçaren është shkrepur pikërisht nga njëra prej armëve të sekuestruara në Hallaq të Vogël. Kjo pritet të jetë objekt i ekzaminimeve dhe hetimeve të mëtejshme.
Policia tashmë ka armët dhe gëzhojat në dispozicion, ndërsa hetimi duhet të përcaktojë nëse ekziston lidhje mes të shtënave në festë dhe plumbit që përfundoi në gjoksin e gruas në Lipjan.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


