Ka përfunduar tragjikisht aksidenti i rëndë që ndodhi më 23 qershor në fshatin Zahaq të Pejës, pasi këmbësori që ishte goditur nga një veturë nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është Diamant Goska, 39-vjeçar, i cili kishte qëndruar për disa ditë në gjendje të rëndë shëndetësore, por pasditen e së enjtes ka ndërruar jetë.
Sipas hetimeve fillestare, aksidenti kishte ndodhur në rrugën Pejë–Klinë, në afërsi të “Swiss Oil” në fshatin Zahaq. Dyshohet se drejtuesi i një automjeti Volkswagen, Bashkim Kuqi, 51-vjeçar, duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, e kishte goditur këmbësorin në momentin kur ai po e kalonte rrugën.
Si pasojë e goditjes, 39-vjeçari kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit po vazhdojnë nga Njësia Rajonale e Hetimeve të Aksidenteve në Pejë.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


