Tuesday, September 22, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive: Nuk i “mjaftoi” poligoni – polici ia shkrep lisit 6 fishekë...

Ekskluzive: Nuk i “mjaftoi” poligoni – polici ia shkrep lisit 6 fishekë në mes të ditës në Staradran të Istogut

Një veprim që vështirë se mund të justifikohet me ndonjë “procedurë zyrtare” është regjistruar në fshatin Staradran të Istogut, ku një zyrtar policor ka përdorur armën e tij jashtë çdo rregulli, raporton Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 8 prill 2026, rreth orës 14:10, kur Policia ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri në këtë zonë.

Në vendin e ngjarjes, njësitë policore kanë konstatuar gjurmë të të shtënave dhe kanë gjetur gjashtë gëzhoja, rreth një lisi në një fushë, larg shtëpive të banimit.

Jo shumë larg aty janë hasur tre persona, ku njëri prej tyre është prezantuar si zyrtar policor. Pas pyetjeve të policisë, ai ka pranuar pa hezitim se ka shtënë disa herë me armën e tij zyrtare.

Kur është pyetur për armën, përgjigjja ka qenë po aq befasuese, arma ndodhej në dhomën e tij të gjumit.

Pas kësaj, arma është sekuestruar, ndërsa në rast janë përfshirë edhe Inspektorati Policor dhe hetimet rajonale.

Zyrtari policor është pjesë e Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë në Kufi – Perëndimi, një njësi që trajnohet për përdorim të kontrolluar të armës, jo për “qitje në lis”.

Rasti është iniciuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa mbetet të shihet nëse ky rast do të trajtohet si shkelje serioze apo si një tjetër episod që kalon pa pasoja.

Sinjali do të raportojë për zhvillimet e mëtejme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT