Zyrtari policor që ka shtënë me armë zjarri në fshatin Staradran të Istogut është Betim Berisha, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 8 prill 2026, rreth orës 14:00, pasi Policia kishte pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në këtë zonë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjashtë gëzhoja, rreth një lisi në një fushë, ndërsa pak metra më larg janë hasur tre persona, ku njëri prej tyre është prezantuar si zyrtar policor.
Sipas burimeve, zyrtari policor Betim Berisha ka pranuar se ka shtënë disa herë me armën e tij zyrtare, ndërsa arma është gjetur më pas në dhomën e tij të gjumit dhe është sekuestruar nga njësitë kompetente.
Në rast janë përfshirë edhe Inspektorati Policor dhe hetimet rajonale, ndërsa rasti është iniciuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Zyrtari në fjalë është pjesë e Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë në Kufi – Perëndimi, ndërsa mbetet të shihet se çfarë masa do të ndërmerren ndaj tij.
Sinjali do të raportojë për zhvillimet e mëtejme.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


