Tuesday, August 25, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Ky është 19-vjeçari i arrestuar nën dyshimin për dhunimin e...

Ekskluzive | Ky është 19-vjeçari i arrestuar nën dyshimin për dhunimin e një të miture në Gjilan– pranoi marrëdhënien, por mohoi se ishte pa pëlqimin e saj

Një rast i rëndë, që dyshohet se ka ndodhur disa muaj më parë në Kishnapolë të Gjilanit, është denoncuar në Polici dhe ka përfunduar me arrestimin e një 19-vjeçari nën dyshimin për veprën penale “Dhunimi”, raporton ekskluzivisht Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Erblin Spahija rreth 19-vjeçar, i cili është identifikuar dhe shoqëruar nga hetuesit pas denoncimit të një vajze të mitur.

Rasti doli në dritë më 24 gusht, kur e mitura, e shoqëruar nga prindi i saj, u paraqit në Stacionin Policor në Shtime.

Ajo është intervistuar nga Prokurori për të Mitur, para të cilit ka rrëfyer për një ngjarje që, sipas saj, kishte ndodhur rreth dy apo tre muaj më parë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, e mitura ka deklaruar se kishte shkuar në shtëpinë e Spahijës në fshatin Kishnapolë të Gjilanit dhe kishte qëndruar aty një natë.

Pikërisht gjatë atij qëndrimi, ajo pretendon se 19-vjeçari kishte kryer marrëdhënie seksuale me të pa pëlqimin e saj.

Pas denoncimit, hetuesit rajonalë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe kanë arritur ta identifikojnë e më pas ta shoqërojnë Spahijën për intervistim.

Por para hetuesve, 19-vjeçari ka dhënë një version tjetër të ngjarjes.

Sipas të dhënave të rastit, gjatë intervistimit në praninë e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, Spahija ka pranuar se kishte pasur marrëdhënie seksuale me të miturën, por ka pretenduar se ajo kishte ndodhur me pëlqimin e të dyve.

Pretendimi i tij bie ndesh me deklarimin e të miturës, ndërsa tashmë u takon organeve të hetuesisë dhe Prokurorisë të verifikojnë rrethanat dhe provat lidhur me rastin.

Viktimës i është ofruar edhe ndihmë mjekësore nga Qendra Emergjente në Ferizaj.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe ka urdhëruar që rasti të iniciohet për veprën penale “Dhunimi”.

Me vendim të Prokurorit, Erblin Spahija është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.

Për shkak se viktima është e mitur dhe bëhet fjalë për një rast të dyshuar të dhunës seksuale, Sinjali nuk do të publikojë asnjë të dhënë që mund të çojë në identifikimin e saj.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT