Një incident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Prishtinë, ku pronari i një lokali ka përfunduar i lënduar pas një sulmi fizik nga dy persona.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 në zonën e njohur si “Rruga C”, ku është raportuar një rrahje në progres.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se viktima është K.R, i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore pas sulmit.
Si të dyshuar për këtë rast janë identifikuar Labinot Azemi dhe Albert Abazi, ky i fundit pas verifikimit ka rezultuar me tre urdhër-arreste aktive.
Dyshohet se të dy kishin qenë klientë në lokalin e viktimës dhe pas një konflikti e kanë sulmuar fizikisht pronarin.
Një dëshmitar okular, i cili punonte në lokal, ka konfirmuar se dy persona e kanë sulmuar viktimën, duke përshkruar ngjarjen si të dhunshme dhe të papritur.
Sipas informacioneve, të dyshuarit kanë qenë nën ndikim të alkoolit në momentin e incidentit, ndërsa pas ndalimit dhe uljes së nivelit të alkoolit, ata kanë shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.
Me vendim të prokurorit kujdestar, të dy janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë në zhvillim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


