Një konflikt që eskaloi në përdorim të armës së zjarrit ka tronditur mbrëmjen e së dielës fshatin Halabak të Podujevës, duke lënë dy persona të plagosur dhe duke përfunduar me arrestimin e gjashtë të dyshuarve.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se në këtë rast dyshohen të jenë të përfshirë Avdi Xhakolli, Veton Krasniqi rreth 35 vjeç, Enver Krasniqi rreth 39-vjeç, Endrit Alshiqi rreth 24-vjeç, Valmir Alshiqi rreth 29 vjeç, Brahim Krasniqi rreth 67 vjeç dhe Bekim Xhakolli rreth 46 vjeç.
Sipas informacioneve, rreth orës 18:50, për shkak të një mosmarrëveshjeje mes palëve ka shpërthyer një përleshje, gjatë së cilës dyshohet se Avdi Xhakolli ka përdorur armë zjarri.
Si pasojë e të shtënave, Enver Krasniqi dhe Veton Krasniqi kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim mjekësor.
Në cilësinë e ankuesve janë intervistuar A. A. rreth 49-vjeç, E. Xh. rreth 64 vjeç dhe E. Z. rreth 57-vjeç, ndërsa në vendngjarje kanë dalë njësitë e hetimeve, forenzikës dhe Njësia për Hetime të Përgjithshme.
Gjatë ekzaminimit janë sekuestruar dy gëzhoja të armës së shkurtër, një mjet i fortë dhe dy automjete, ndërsa gjatë bastisjes në shtëpinë e Valmir Alshiqit është konfiskuar edhe një automjet tjetër që dyshohet se është përdorur në rast.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar të Departamentit për Krime të Rënda, rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Mbajtje në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Me vendim të Prokurorit, Veton Krasniqi, Enver Krasniqi, Endrit Alshiqi, Valmir Alshiqi, Brahim Krasniqi dhe Bekim Xhakolli janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


