Një incident serioz ka ndodhur të premten, më 4 shtator, brenda Burgut të Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës, ku një i paraburgosur për vrasje të rëndë dyshohet se ka sulmuar fizikisht dhe kërcënuar me vrasje dy zyrtarë korrektues, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Festim Ramadani, 39-vjeçar, ndërsa zyrtarët korrektues të sulmuar janë D. N. dhe A.R.
Incidenti dyshohet se ka ndodhur mes orës 08:10 dhe 08:45, ndërsa Policia është njoftuar për rastin rreth orës 11:45.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Ramadani, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në BSL nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e rëndë”, dyshohet se i ka sulmuar dy oficerët korrektues me duar.
Por situata nuk ka përfunduar me kaq.
Gjatë incidentit, 39-vjeçari dyshohet se u është drejtuar zyrtarëve edhe me kërcënime serioze.
“Blene ka ni qefin se kom me ju vra”, dyshohet se u ka thënë ai, për të vazhduar më pas me kërcënimin: “Kemi me ju vra krejtve.”
Për ta vënë situatën nën kontroll, ndaj të paraburgosurit është përdorur sprej OC.
Dy zyrtarët korrektues kanë marrë trajtim mjekësor pas incidentit. Trajtim mjekësor ka marrë edhe vetë i dyshuari pas përdorimit të sprejit.
Në Burgun e Sigurisë së Lartë kanë dalë hetuesit policorë, ndërsa në trajtimin e rastit janë përfshirë edhe Hetimet Rajonale, të cilat do ta vazhdojnë procedurën.
Dy zyrtarët korrektues janë intervistuar lidhur me atë që ka ndodhur, ndërsa Ramadani pritet të merret në pyetje në ditët në vijim.
Për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurës për “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


