Një rast që fillimisht ishte hapur si mashtrim ka marrë tjetër drejtim pas hetimeve në Prishtinë dhe tashmë po trajtohet si shantazh.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima, A.M., ka deklaruar se gjatë periudhës 2023–2025 ishte vënë nën presion nga Halit Haliti, 58-vjeçar, i cili dyshohet se pretendonte se posedonte fotografi me të cilat mund t’ia shkatërronte jetën familjare dhe martesore.
Por presioni, sipas deklarimit të viktimës, nuk ishte kufizuar vetëm te fotografitë.
I dyshuari dyshohet se i kishte thënë edhe se ndaj tij po zhvilloheshin procedura ligjore dhe se kishte mundësi të ndikonte që ato të ndaleshin.
Nën këtë presion, viktima ka deklaruar se në periudha të ndryshme i ka dhënë para të dyshuarit, herë drejtpërdrejt në takime e herë përmes personave të tretë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, për disa nga pagesat janë përdorur edhe institucione mikrofinanciare, ndërsa shuma e përgjithshme dyshohet se ka arritur deri në 16 mijë euro.
Rasti ishte iniciuar më 9 maj të këtij viti si “Mashtrim”, por pas vazhdimit të hetimeve dhe intervistimit të të dyshuarit, Prokuroria ka vendosur që çështja të ricilësohet.
Haliti është paraqitur në stacion policor pas ftesës dhe, pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Rasti tashmë po hetohet si “Shantazh”, ndërsa hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe mënyrën e realizimit të pagesave po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


