Thursday, April 23, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Goditja e rrjetit të kokainës në Prizren – mbi 30...

Ekskluzive | Goditja e rrjetit të kokainës në Prizren – mbi 30 mijë euro drogë, armë dhe pajisje për paketim, dy vëllezër në pranga

Një operacion i gjerë antidrogë është zhvilluar në Prizren, ku pas një hetimi disa mujor janë arrestuar dy persona të dyshuar për shpërndarje të narkotikëve, mëson Sinjali.

Aksioni është realizuar më 22 prill 2026, rreth orës 18:05, nga njësitë e DHTN-së në Prizren, me urdhër të Gjykatës Themelore, ku janë bastisur një shtëpi dhe dy lokale që dyshohet se përdoreshin për paketimin dhe shpërndarjen e kokainës në qytet dhe më gjerë.

Të arrestuar janë Ensar Gjemollari, rreth 27-vjeçar dhe Ermal Gjemollari, rreth 26-vjeçar, të cilët sipas hetimeve dyshohet se drejtonin aktivitetin e shitjes dhe shpërndarjes së narkotikëve.

Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar narkotike të llojit kokainë, e ndarë në disa paketime, përfshirë një sasi të madhe prej mbi 300 gramësh, si dhe një kavanoz me mbi 115 gramë kokainë.

Përveç narkotikëve, janë gjetur dhe sekuestruar edhe peshore digjitale, foli për paketim, mjete prerëse, telefona mobilë, para në euro, si dhe dy armë zjarri – një pistoletë Zoraki dhe një tjetër e çmontuar.

Po ashtu, është sekuestruar edhe një motoçikletë që dyshohet se është përdorur në kuadër të aktivitetit të tyre.

Sipas burimeve të afërta me hetimin, vlera e substancës narkotike në tregun e zi vlerësohet rreth 30 mijë euro.

Të dyshuarit janë arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Rasti po hetohet nga njësitë përkatëse në Prizren.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT