Një festë e organizuar për 1 Maj në Shtërpcë ka përfunduar me ndërhyrje policore dhe sekuestrim të substancave narkotike, mëson Sinjali.
Rasti është raportuar në orët e para të mëngjesit të 1 majit 2026 rreth orës 02:30, pasi njësitë policore kanë marrë informacion për një grumbullim të madh të rinjsh në një livadh në vendin e quajtur Përqevë.
Sipas burimeve, në vendngjarje kanë qenë rreth 100 persona, të cilët dyshohet se po konsumonin substanca narkotike. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, pjesa më e madhe e tyre janë larguar në drejtime të ndryshme, duke e vështirësuar kontrollin dhe identifikimin.
Gjatë kontrollit të hapësirës, në tokë dhe në vende të ndryshme, janë gjetur dhe sekuestruar substanca të dyshuara narkotike të llojeve:
- marihuanë,
- kokainë,
- dhe substanca që dyshohet të jetë ekstazi (në formë pluhuri dhe pjesë të tabletave).
Në mesin e provave të konfiskuara janë:
- disa sasi marihuane (nga 0.3 gram deri në 2.8 gram),
- një qese me kokainë (0.8 gram),
- substanca të dyshuara ekstazi (rreth 0.7 gram dhe një tjetër rreth 22 gram në formë pluhuri),
- si dhe pajisje për përdorim.
Për tre persona, tek të cilët është gjetur marihuanë, janë hapur raste për posedim të substancave narkotike, ndërsa për pjesën tjetër, hetimet po vazhdojnë për identifikimin e të dyshuarve.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, njësia e Hetimit të Trafikimit të Narkotikëve në Ferizaj, në bashkëpunim me Policinë në Shtërpcë, po ndërmerr veprime të mëtejshme për zbardhjen e plotë të rastit.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” dhe mbetet nën hetime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


