Një skandal i rëndë institucional po zhvillohet në Pejë, ku vendimet e gjykatave po mbesin vetëm letra në sirtar, ndërsa qytetarit vazhdon t’i mohohet e drejta mbi pasurinë e tij.
Në dokumentet që ka siguruar Gazeta Sinjali, rezulton se fillimisht Gjykata Themelore në Pejë e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë për mbajtjen e veturës Mercedes me targa 03-233-JJ në depot shtetërore dhe kishte urdhëruar lirimin e menjëhershëm të saj.
Gjykata kishte konstatuar qartë se nuk ekzistojnë prova që vetura është “pasuri e specifikuar”, nuk ka lidhje me përfitim kriminal dhe se mbajtja e saj cenon të drejtën kushtetuese të pronës.
Por, pavarësisht këtij vendimi, qytetarit nuk iu kthye vetura.
Prokuroria e Pejës ushtroi ankesë, por edhe Gjykata e Apelit e Kosovës ia rrëzoi pretendimet, duke e quajtur ankesën të pabazuar dhe duke vërtetuar plotësisht vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë.
Madje, në arsyetimin e siguruar nga Sinjali, Apeli thekson se vetëm fakti që ekziston një kontest ndërmjet palëve nuk e bën automatikisht veturën objekt konfiskimi dhe nuk justifikon mbajtjen e saj nga shteti.
Pra, dy gjykata, dy vendime, dy urdhra të qartë për lirimin e pasurisë, por vetura vazhdon të mbahet e bllokuar kundërligjshëm.
Ky rast tashmë ka kaluar kufijtë e një kontesti procedural dhe po shndërrohet në një alarm serioz për sigurinë juridike në Kosovë, veçanërisht në Pejë, ku lind pyetja tronditëse:
Nëse as vendimet e formës së prerë të gjykatave nuk zbatohen, atëherë kush po sundon realisht, ligji apo diskrecioni arbitrar?
Burime të afërta me rastin thonë se qytetari vazhdon të endet institucioneve, ndonëse gjykatat kanë folur qartë dhe në mënyrë eksplicite për lirimin e menjëhershëm të automjetit.
Rasti hap dyshime të rënda për shpërfillje të autoritetit të gjykatës, tejkalim kompetencash dhe mbajtje të kundërligjshme të pasurisë private, duke krijuar precedent të rrezikshëm për çdo qytetar të këtij vendi.
Sot është një veturë, nesër mund të jetë prona, biznesi apo pasuria e kujtdo tjetër.
Kjo pasiguri duhet të marr fund dhe abuzuesit me diskrecionin që ua jep ligji duhet të penalizohen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


