Një konflikt mes dy vëllezërve të mitur në fshatin Gremnik të Klinës ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë, ndërsa gjatë trajtimit të rastit është zbuluar edhe substancë e dyshuar narkotike, mëson Sinjali.
Rasti ka ndodhur më 19 gusht, rreth orës 15:00, pasi Policia kishte pranuar një telefonatë për një problem në këtë fshat.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kontaktuar dy të miturit, vëllezër mes vete, të lindur në vitet 2009 dhe 2010.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjithçka dyshohet se kishte nisur me një fjalosje verbale mes vëllezërve, e cila më pas kishte eskaluar në kacafytje.
I mituri i lindur në vitin 2010 është shoqëruar në Stacionin Policor në Klinë, ku është intervistuar në praninë e prindit.
Por gjatë intervistimit rasti ka marrë një tjetër drejtim.
Sipas informacioneve të Sinjalit, 16-vjeçari ka deklaruar vetë se në çantën e tij kishte një qese të vogël me substancë narkotike, të dyshuar si marihuanë.
Substanca është gjetur dhe konfiskuar nga Policia, duke bërë që krahas incidentit mes dy vëllezërve të trajtohet edhe çështja e posedimit të narkotikëve.
Për rastin është konsultuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit janë iniciuar rastet “Dhunë në familje” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.
Pas përfundimit të intervistimit dhe procedurave policore, i mituri është liruar në procedurë të rregullt.
Për shkak se të dy personat e përfshirë janë të mitur dhe vëllezër, Sinjali nuk publikon të dhëna të tjera që mund të çojnë në identifikimin e tyre.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


