Tuesday, July 7, 2026
spot_img
HomeLajmeE dyshuara për sulmin me bombë në Monako gjendet e vrarë pranë...

E dyshuara për sulmin me bombë në Monako gjendet e vrarë pranë Kievit, arrestohen oficeri i inteligjencës ukrainase dhe ish-efektivi

Një grua e dyshuar për sulmin me bombë në Monako, ku javën e kaluar mbeti i plagosur rëndë një biznesmen me origjinë ukrainase, është gjetur e vrarë me armë zjarri pranë Kievit. Rasti ka marrë një kthesë të re, duke tronditur edhe më tej hetimet për atentatin që ka ndodhur në principatën mesdhetare.

Prokuroria e Ukrainës njoftoi të martën se gruaja ishte gjetur me një plagë plumbi në kokë. Ndërkohë, në lidhje me këtë çështje janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, mes tyre një oficer i shërbimit të inteligjencës ushtarake ukrainase (HUR) dhe një ish-efektiv i forcave të rendit.

Të premten, Interpol kishte lëshuar një njoftim të kuq për 39-vjeçaren Anastasiia Berezovska, shtetase ukrainase që flet gjermanisht. Ajo kërkohej nga autoritetet e Monakos nën dyshimet për tentativë vrasjeje, vendosje të një mjeti shpërthyes në një vend publik me qëllim kriminal dhe bashkëpunim në një organizatë kriminale.

Sipas prokurorëve ukrainas, Berezovska kishte marrë pagesa në kriptomonedha nga dy personat e arrestuar, çka ka bërë që hetuesit t’i konsiderojnë ata si të dyshuar për përfshirje në atentatin në Monako.

Prokuroria ukrainase ka bërë të ditur se oficeri i HUR-it kishte vepruar me iniciativën e tij dhe nuk kishte informuar eprorët për kontaktet me Berezovskën.

Autoritetet kanë publikuar gjithashtu pamje nga ajo që e kanë përshkruar si një “dhomë torture”, ku gjatë kontrolleve në pronat e të arrestuarve janë gjetur çekiçë dhe pajisje të tjera. Megjithatë, “The Guardian” ka theksuar se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e prokurorisë ukrainase.

Çështja mund të ketë pasoja politike për Kievin, pasi çdo provë që do të lidhte pjesëtarë të shërbimeve sekrete ukrainase me një sulm me bombë në territorin evropian do të ishte një goditje e rëndë, në një kohë kur Ukraina kërkon mbështetje të mëtejshme nga aleatët perëndimorë.

Princi Albert II i Monakos e kishte dënuar më herët sulmin, duke e cilësuar atë si “një akt të neveritshëm”, ndërsa kishte bërë të ditur se të gjitha shërbimet e sigurisë së principatës ishin angazhuar në hetim.

Edhe pse autoritetet nuk i kanë identifikuar zyrtarisht viktimat, burime policore dhe gjyqësore u kanë thënë mediave franceze se bëhej fjalë për biznesmenin 58-vjeçar Vadym Iermolaiev, me origjinë nga Ukraina dhe shtetësi qipriote, partneren e tij dhe djalin e tyre.

Iermolaiev dhe partnerja e tij kishin pësuar plagë të rënda, ndërsa fëmija ishte lënduar lehtë.

Sipas prokurorëve francezë, Berezovska, e cila jetonte në Gjermani, ishte maskuar si burrë para se të vendoste mjetin shpërthyes në hyrjen e pallatit ku banonte familja në Monako.

Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës, Iermolaiev jetonte në Monako dhe ishte pjesë e një grupi biznesmenësh dhe politikanësh të pasur ukrainas, të cilët mediat e pavarura ukrainase i kanë quajtur “Batalioni i Monakos”.

Në vitin 2023, Ukraina vendosi sanksione ndaj Iermolaievit, duke pretenduar se ai kishte mbajtur lidhje biznesi me subjekte ruse që vepronin në territoret ukrainase të pushtuara nga Moska, përfshirë Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.

Zëvendësprokurori i Monakos deklaroi javën e kaluar se e dyshuara ishte larguar nga principata në këmbë drejt Francës dhe më pas kishte udhëtuar me makinë drejt Gjermanisë, duke kaluar nëpër disa vende evropiane, përfshirë Italinë.

Ukraina më herët ka kryer operacione të shumta me mjete shpërthyese kundër zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë dhe bashkëpunëtorëve të Kremlinit brenda territorit rus, por deri më tani nuk është raportuar për një precedent të tillë në territorin e vendeve evropiane.

Javën e kaluar, prokurorët gjermanë akuzuan “autoritete shtetërore ukrainase” se kishin urdhëruar sulmin me eksploziv ndaj gazsjellësve Nord Stream në vitin 2022.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT