Dy superndeshje zhvillohen të mërkurën mbrëma në kuadër të fazës së një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve.
Në stadiumin “Santiago Bernabeu” do të luhet një nga përballjet më të mëdha të këtij kompeticioni, mes Real Madridit dhe Manchester Cityt. Ndeshja fillon në orën 21:00.
Rrallëherë ekipi me 15 trofe evropianë, Real Madridi, nuk konsiderohet favorit në Champions, por këtë herë situata është ndryshe. Përveç mungesës së vazhdimësisë në formë, madrilenët përballen edhe me mungesa të rëndësishme në skuadër. Kylian Mbappe, Jude Bellingham dhe Rodrygo janë të lënduar dhe pritet të mungojnë në këtë përballje.
Manchester City ndërkohë e kishte mposhtur Real Madridin në kryeqendrën spanjolle në fazën e ligës dhe është përforcuar edhe më shumë që nga ajo kohë. Antoine Semenyo dhe Marc Guehi i janë bashkuar skuadrës së Pep Guardiolas, ndërsa Rodri është rikthyer dhe është i gatshëm pasi kishte munguar për një kohë të gjatë.
Real Madridi dhe Manchester City takohen për vitin e katërt rresht në fazën nokaut të Championsit. Madridi e eliminoi skuadrën angleze vitin e kaluar, në vitin 2024 dhe më 2022, ndërsa City ishte më i suksesshëm në gjysmëfinalen e vitit 2023.
“Nuk është hera e parë që luajmë në këtë stadium. Kemi ardhur shumë herë dhe shumë prej lojtarëve e njohin stadiumin. Qartë se gjëra të mira nuk mund të ndodhin nëse nuk jeni vetvetja”, ka thënë Guardiola.
Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ka theksuar se skuadra e tij nuk duhet të ndihet kurrë inferiore.
“E dimë se sa i mirë është Manchester City, trajneri i këtij ekipi, lojtarët. Por do t’i shikojmë drejt në sy. Të luajmë ndeshje në fazën nokaut të Championsit më motivon dhe si trajner të përballem me më të mirin në botë është shumë motivuese. Do të jetë përvojë e shkëlqyer”, ka thënë Arbeloa.
Një tjetër ndeshje e madhe zhvillohet në Paris, ku nga ora 21:00 përballen kampioni në fuqi, Paris Saint-Germain, dhe Chelsea.
Skuadra londineze e kishte mposhtur ekipin parisien në finalen e Kupës së Botës për klube verën e kaluar, por Liga e Kampionëve paraqet një sfidë tjetër dhe PSG synon ta fitojë sërish trofeun e çmuar.
“Preferojmë ta kemi topin më shumë se kundërshtari, por Chelsea luan në mënyrë shumë efikase. Shpresoj se do të qëndrojmë të qetë. Ndonjëherë në këto ndeshje motivimi i tepruar mund të jetë problem. E dimë se si duam të luajmë dhe dimë si të menaxhojmë këtë falë përvojës që kemi”, ka theksuar trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique.
Trajneri i Chelseat, Liam Rosenior, ka pranuar forcën e kundërshtarit.
“Ka lojtarë të nivelit më të lartë botëror dhe trajner të nivelit më të lartë. Por i kemi edhe ne. Duhet të dimë që është sfidë me dy ndeshje, kështu që na duhet disiplina”, ka thënë Rosenior.
Nga ora 21:00 zhvillohet edhe ndeshja mes Bodo/Glimtit dhe Sportingut. Skuadra norvegjeze Bodo/Glimt ka bërë befasi duke arritur në këtë fazë dhe synon të shkaktojë edhe një surprizë tjetër të madhe.
Ndërkohë, nga ora 18:45 luhet përballja mes Bayer Leverkusenit dhe Arsenalit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


