Dogana e Kosovës ka sekuestruar 2,559 pako barnash pa banderola të Republikës së Kosovës, gjatë një kontrolli në një subjekt farmaceutik dhe një shtëpi banimi në Prishtinë, njofton Dogana e Kosovës. Vlera e përgjithshme doganore e barnave të sekuestruara është 20,745.94 euro.
Sipas njoftimit të Doganës, kontrolli është realizuar nga njësitë kompetente, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve, bazuar në një informatë zyrtare.
Gjatë kontrollit në subjektin farmaceutik, në pjesën e tualetit të lokalit është zbuluar një hapësirë e modifikuar, ku ishin fshehur 2,161 pako barnash, pa dokumentacion mbulues dhe pa banderola të Republikës së Kosovës.
Me autorizim të prokurorit kompetent, kontrolli ka vazhduar edhe në një shtëpi banimi të ndërlidhur me rastin. Në bodrum dhe në pjesë të tjera të objektit janë gjetur edhe 398 pako barnash pa banderola RKS.
Në të dy lokacionet janë sekuestruar gjithsej 2,559 pako barnash.
Sipas Doganës, malli i zbuluar është sekuestruar dhe evidentuar në dokumentacionin përkatës, së bashku me specifikacionet e sasive dhe emërtimet e barnave.
Vlera doganore e barnave të gjetura në subjektin farmaceutik është 15,112.84 euro, ndërsa e atyre të gjetura në shtëpinë e banimit 5,633.10 euro.
Në total, vlera doganore e mallit të sekuestruar arrin në 20,745.94 euro.
Rasti është duke u trajtuar në koordinim me prokurorin kompetent dhe institucionet përgjegjëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


