Afati kalimtar i verës ka hyrë në javën e fundit, ndërsa njëri prej emrave më të përfolur të kësaj merkatoje vazhdon të jetë Rafael Leao.
Milani, tashmë nuk është sekret, do të ishte i gatshëm ta shiste sulmuesin portugez gjatë këtij afati kalimtar, por për momentin janë disa pengesa që duhet të tejkalohen.
E para lidhet me vlerësimin që Milani i ka bërë lojtarit. Klubi italian nuk ka ndërmend ta shesë lirë numrin 10, shkruan “Tuttomercatoweb”, përcjell “Gazeta Express”.
Megjithatë, pengesa kryesore aktualisht lidhet me vetë Leao, i cili tashmë ka refuzuar disa destinacione, pavarësisht përpjekjeve të menaxherit të tij, Jorge Mendes, për të gjetur një zgjidhje.
Rafael Leao, siç ishte raportuar edhe javën e kaluar, kishte refuzuar një transferim te Aston Villa.
Megjithatë, me shpresën se lojtari mund të ndryshonte mendje, Milani u ul në tryezën e negociatave me klubin anglez. Palët, megjithatë, nuk arritën marrëveshje dhe kjo pistë tashmë është ftohur.
Kontaktet mes dy klubeve nuk sollën marrëveshje sa i përket kostos së operacionit, ndërsa Aston Villa po tërhiqet nga gara për sulmuesin e Milanit.
Përveç kësaj, Leao ka refuzuar edhe ofertën e Al Hilalit të Simone Inzaghit. Klubi saudit më pas u orientua fillimisht drejt Conceicaos dhe më pas drejt Martinellit.
Ideja e Leaos mbetet e njëjtë: të qëndrojë te Milani, me të cilin ka edhe dy vite kontratë, ose të transferohet te Galatasaray.
Për këtë mundësi të fundit ka zhvillime të reja. Klubi turk është tashmë i gatshëm ta rrisë ofertën, ndryshe nga ajo që kishte bërë të ditur ditët e fundit.
Galatasaray është gati të ofrojë 40 milionë euro, plus disa bonuse të vogla.
Kjo shifër nuk po e bind plotësisht Milanin, por me vetëm një javë të mbetur nga mbyllja e afatit kalimtar, gjithçka mund të ndodhë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


